Para vjeshtës nuk pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë për rastin e sulmit në Banjskë, thonë burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në atë kohë do të bëhet një vit që kur grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në këtë fshat në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Hetime, paralelisht, është duke kryer edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Deri ku mbërritën hetimet në Kosovë?
Burimet e këtij mediumi në Prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se “punët rreth rastit janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
“Pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike, do të procedohet tutje”, thonë ato.
Hollësi të tjera nuk japin, pos që aktakuza nuk pritet të ngrihet para vjeshtës.
Ndërsa Radoiçiq besohet të jetë i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, thonë se Prokuroria Speciale është brenda afatit ligjor për kompletimin e aktakuzës, pasi me ndryshimet e fundit ligjore, periudha e paraparë për përfundimin e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzës mund të shkojë deri në tre vjet, nga dy vjet e gjysmë sa ishte më herët.
Sipas IKD-së, Prokuroria ka para vetes një numër të konsiderueshëm të provave materiale dhe të të dyshuarve për sulmin.
Fakti që [sulmi] ka ndodhur para rreth nëntë muajsh, nuk nënkupton që, me doemos, Prokuroria të ngutet në veprimet e saj dhe të dorëzojë një aktakuzë më pak cilësore. Periudha kohore prej tre vjetësh, që ka në dispozicion, duhet të shërbejë për të pasur një aktakuzë sa më cilësore dhe mirë të provuar – nëpërmjet provave materiale dhe atyre personale”, thonë në IKD.
Nga ky institut, megjithatë, theksojnë se Prokuroria duhet ta njoftojë më shumë opinionin për rrjedhën e hetimeve – “pa i dëmtuar ato, të tregohet se deri ku kanë mbërritur”.
Mediumi kërkoi komente për këtë temë edhe nga ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, por ajo nuk u përgjigj.
Në fund të vitit të kaluar, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.