Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka parashikuar se të enjten dhe të premten do të bien pak temperaturat, ndërkohë që mund të ketë edhe riga shiu dhe shkarkesa rrufesh. Megjithatë, moti i nxehtë do të vazhdojë të mbretërojë, me maksimalet që do të shkojnë deri në 34 gradë Celsius, njofton Gazeta Enigma.
Të enjten do të ketë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
“Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh, ndërsa në zonat e kufizuara ekziston rrezik për breshër. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 30-34gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-8m/s”, thuhet në njoftim.
Ndërsa të premten do të ketë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.
“Vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen , duke krijuar mundësi për riga shiu me shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 16-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-33gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-5m/s”, thuhet në njoftim. /Gazeta Enigma