Djali i pronarit të ‘Lajthizës’ plagosi tre persona me armë, policia: Qëlloi një herë

Djali i pronarit të ‘Lajthizës’ plagosi tre persona me armë, policia: Qëlloi një herë

Një festë familjare në Tiranë për pak sa nuk u shndërrua në tragjedi në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një 32-vjeçar qëlloi me armë zjarri duke lënë të plagosur tre persona.

Autori dyshohet të jetë 32-vjeçari Edison Elezaj i cili është djali i pronarit të kompanisë së ujit Lajthiza, Hajri Elezaj. Policia e ka shpallur në kërkim, teksa në njoftimin për mediat ka relativizuar ngjarjen duke raportuar se Edisoni “dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme”.

Sipas policisë, me një shkrepje të armës kanë mbetur të plagosur shtetasit A. P., 36-vjeç, D. P., 34-vjeç dhe një 36-vjeçare E. P. Personat e plagosur janë dërguar me urgjencë nga lokali në zonën e rrugës së Kavajës në Tiranë, në drejtim të një spitali privat. Pasi kanë marrë ndihmë mjekësore dy djemtë janë larguar nga spitali ndërsa 36-vjeçarja E. P., po mbahet në kujdesin e mjekëve.

Autori i plagosjes nuk është ndaluar ende dhe vijon të jetë në kërkim nga Policia.

Njoftimi i Policisë:

Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.

Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.

Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E.

Related Articles