Zëvendësi i ri i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, do të mbikëqyrë politikën amerikane për këtë rajon, e cila ka në thelb mbështetjen e tij në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet euroatlantike.
Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), lidhur me qëllimet e Kasanofit në detyrën e re.
Kasanof mori postin e zëvendësit të ndihmësit të sekretarit për Ballkanin Perëndimor më 19 korrik të këtij viti.
Paraprakisht, në këtë post ishte Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj.
“Politika jonë promovon bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe reformat që do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në rajon. Ne do të vazhdojmë të punojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët tanë evropianë për t’i avancuar këto qëllime gjatë udhëheqjes së Kasanofit”, tha zëdhënësi i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se Kasanof do të angazhohet nga afër edhe me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë dhe me partnerët evropianë, “në rrugën drejt arritjes së një marrëdhënieje të normalizuar, paqësore dhe produktive midis dy vendeve”.
Kasanof, që nga 19 korriku, është edhe zëvendës i ndihmësit të sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e DASH-it, ai ka shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.
Ai ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.