Shërbimi Korrektues i Kosovës ka suspenduar zyrtarin korrektues i cili është arrestuar bashkë me katër presona të tjerë nën dyshimin se kanë vënë në lajthitje palë të dëmtuar, duke i mashtruar se do t’u shesin “bitcoina” dhe kanë fituar shumta të konsiderueshme parash.
Në njoftimin e SHKK-së thuhet se ai është suspenduar për shkak të dyshimeve mbi sjellje të papërshtatshme, të cilat bien ndesh me Kodin e Etikës dhe rregullat e brendshme të institucionit.
SHKK-ja ka njoftuar se vendimi është marrë pasi i njëjti dyshohet se në bashkëkryerje me disa persona tjerë, janë përfshirë në mashtrim me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar për të siguruar integritetin dhe profesionalizmin e stafit të tij, dhe nuk do të tolerojë asnjë formë të sjelljes së papranueshme. Lidhur me këtë, ne jemi të angazhuar të bashkëpunojmë plotësisht me autoritetet përkatëse dhe të sigurojmë transparencë të plotë në këtë çështje”, thuhet në njoftimin e SHKK.