Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar dhe falënderuar xhudistët Akil dhe Nora Gjakova, për paraqitjet e tyre të sotme në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
“Me pak më shumë fat, Akil Gjakova sot do të kthehej me medalje nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Megjithatë, një paraqitje fantastike, në eventin më të madh sportiv në botë ku finesat vendosin, duke treguar përgatitjen dhe kualitetin e tij të jashtëzakonshëm prej sportisti elitar”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook.
“Me apo pa medalje, vetëm krenari për këtë djalosh. Po aq krenarë jemi edhe me Nora Gjakovën, motrën e tij, e cila u bë sportistja e vetme që përfaqëson Kosovën në tri Olimpiada të ndryshme. Familja Gjakova i ka dhënë shumë dinjitet e krenari xhudos dhe Kosovës, për çka u jemi shumë mirënjohës”, shtoi tutje Krasniqi.
“Faleminderit Nora dhe Akil. Suksese në paraqitjet tuaja të ardhshme!”, përfundoi ai. /Gazeta Enigma