Policia e Kosovës ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të vendit, kjo është arsyeja

Policia e Kosovës ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të vendit, kjo është arsyeja

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një operacion në veri të vendit ku ka bërë kontrolle në disa objekte të Postës së Serbisë, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pas kontrollës nëntë nga to janë mbyllur pasi nuk kanë qenë të regjistruara dhe nuk ishin të licencuara.

Elshani ka njoftuar se tri objekte janë mbyllur në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

“Pas konsultimit me prokurorin nëntë nga to janë mbyllur. Zhvillimi biznesor ekonomik duhet të jetë i regjistruar, dhe të ketë licencë. Fjala është për posta të cilat kanë funksionuar në mënyrë ilegale deri më tani”, deklaroi Elshani

Tutje ai ka shtuar se “nuk ka pasur rezistencë. Dy persona të dehur në Leshak gjatë mbylljes së një lokali kanë ardhur janë afruar afër neve, duke marrë parasysh që janë të dehur janë shoqëruar në stacion të policisë në Leposaviq, konsiderohet prishje e rendit dhe e qetësisë publike”.

Ai tha se nisja e operacionit erdhi pas informacionit dhe kërkesës që kanë pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ku aty u njoftuan për zhvillimin e disa aktiviteteve ekonomike të disa bizneseve të palicensuara dhe të paregjistruara në veriun e vendit.

ARKEP ka reaguar menjëherë pas njoftimit për mbylljen e nëntë objekteve të Postë së Serbisë që operojnë në veri të vendit.

Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka reaguar pasi Policia e Kosovës mbylli 9 objekte të Postës së Serbisë në Kosovë.

Në një komunikatë për media, ARKEP ka bërë të ditur se Posta e Serbisë, ka vepruar në mënyrë ilegale në Kosovë.

“Autoritetit Rregullativ për komunikime Elektronike dhe Postare (tutje; Autoriteti ose ARKEP) sipas Ligjit Nr. 06/L-038 për shërbime postare, (tutje; LSHP) është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje ARKEP ka deklaruar se “Ligjin për shërbime postare, përkatësisht nenit 16 paragrafët 1 dhe 2, përcaktohen qartë kriteret për ofrimin e shërbimeve postare në Republikën e Kosovës.: Çdo person fizik ose juridik mund të ofrojë shërbime postare në Republikën e Kosovës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji; si dhe ofrimi i shërbimeve postare në Republikën e Kosovës bëhet sipas autorizimit të lëshuar nga Autoriteti”.

“Në Republikën e Kosovës operojnë gjithsejtë njëzet e tetë (28) operator postar të autorizuar nga ARKEP, të cilët janë të regjistruar në regjistrin e operatoreve postar i cili është i publikuar në ueb faqen e Autoritetit, në linkun; https://www.arkep-rks.org/Page/54 “njofton ARKEP.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe Lista Serbe duke thënë se veprim shkel marrëveshjet e 2015-tës.

Lista Serbe ka reaguar pas aksionit të policisë kosovare për të mbyllur zyra të Postës së Serbisë të cilat operonin në veri të vendit.

“Ky veprim shkel marrëveshjet e arritura në Bruksel 2015 nën patronazhin e Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë anulon të gjithë dialogun dhe trashëgiminë e tij dhe Bashkimi Evropian po dërmon autoritetin dhe reputacionin e tij të dobët që ka në sytë e populli serb”, ka shkruar Lista Serbe.

Kujtojmë se aksioni i Policisë u zhvillua për shkak se këto posta po operonin pa u regjistruar dhe pa u licensuar në autoritetet kosovare. /Gazeta Enigma/

Related Articles