Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka folur për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ai ka thënë se kërkesat e tyre për identitet dhe dinjitet, janë plotësisht legjitime dhe të drejta.
Përmes një postim në Facebook, Bislimi thotë se qeveria mbështet bashkëkombasit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cënon të drejtat e tyre themelore. Kërkesat e tyre për “respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore” janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë. Zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar”, ka shkruar më tutje Bislimi. /Gazeta Enigma