Osmani: Ura të hapet patjetër, të sigurohemi që të jetë e hapur përherë

Osmani: Ura të hapet patjetër, të sigurohemi që të jetë e hapur përherë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Ne nuk kemi arsye të jemi në konflikt me aleatët tanë”, tha Osmani.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për hapjen e urës në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Related Articles