Hapjen e Muzeut për të dhunuarit e luftës në Kosovë mbështetet nga Gjermania

Hapjen e Muzeut për të dhunuarit e luftës në Kosovë mbështetet nga Gjermania

Fondacioni i ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane në Kosovë, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për hapjen e Muzeut të parë për Gratë dhe Burrat e Dhunuar në Kosovë.

Kështu njoftoi ish-presidentja Jahjaga, e cila tha se marrëveshja u nënshkrua në zyrat e Fondacionit Jahjaga, bashkë me Ambasadorin Gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Ish-presidentja Jahjaga tha se “çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një ndër plagët më të rënda të tërë vendit, andaj qëllimi ynë kryesor është të rritet vetëdija e përgjithshme e popullit dhe të luftohet stigma e cila i rrethon të mbijetuarit”.

“Ashtu siç u kam premtuar që nuk do lë gurë pa lëvizur derisa drejtësia të gjejë vend, u premtoj që çdoherë do jem pranë tyre. Nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë”, tha Jahjaga.

Ndërkaq, ambasadori Rohde, përmes një postimi në X, pasi falënderoi ish-presidenten Jahjaga, tha se Gjermania, gjegjësisht agjenda e Politikës së Jashtme Feministe (në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë), e ka mbështetur projektin me 42 mijë euro.

“Ballafaqimi me të kaluarën do të thotë t’u japësh viktimave një zë. Faleminderit, e nderuara Atifete Jahjaga, që keni marrë drejtimin e kësaj çështjeje. Jemi krenarë që mbështesim këtë projekt historik si pjesë e agjendës sonë të Politikës së Jashtme Feministe me 42.000 euro”, shkroi Rohde.

Related Articles