Një ngjarje e tmerrshme e dyshuar për dhunim seksual, e cila daton që para 24 vitesh, mund të jetë motivi kryesor që qëndron pas vrasjes së Sadri Sadriut në Ferizaj, të premten në mbrëmje.
Festim Ramadani, polici i dyshuar për këtë vrasje, jashtë procesverbalit ka pohuar se vrasja është kryer për arsye që lidhen me çështje morali.
Sipas një deklarate të bërë jashtë procesverbalit nga polici Ramadani, viktima akuzohet se ka dhunuar seksualisht një familjare të tyre kur ajo ishte vetëm 10 vjeçe, mëson Paparaci nga burimet e veta.
Në atë kohë, konkretisht gjatë kohës së luftës në Kosovë, familja Ramadani ishin të strehuar tek tezja e tyre në Preshevë, kur edhe pretendojnë se kryefamiljari Sadri Sadriu (burri i tezës) ua kishte dhunuar një familjare, e cila atë kohë kishte qenë e mitur.
Përballë këtyre akuzave të rënda, sipas të njëjtave burime, dy të arrestuarit për vrasjen kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje gjatë marrjes në pyetje.
Megjithatë, deri më tani këto pretendime mbeten ende të pakonfirmuara, ndërkohë që prokuroria dhe policia po kryejnë hetime të thelluara për të zbardhur të vërtetën.
89-vjeçari Sadri Sadriu u vra të premtën në mbrëmje në oborrin e një sallë dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt
Siç ka raportuar Paparaci, Sadriu është axha i Prindon Sadriut, bashkëshortit të Presidentes Vjosa Osmani.
Polici Festim Ramadani vrasjen e ka kryer me armë zyrtare, ka njoftuar Policia.
“I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. I dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Përveç tij, më vonë është arrestuar edhe një person i dytë, që thuhet se është familjar i policit.
Të dy janë dërguar në paraburgim për 48 orë.
“Lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj i cili është raportuar sot në orët e mbrëmjes është arrestuar edhe një i dyshuar. Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim të IPK-së.