Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka reaguar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani.
Ai ka thënë se kjo legjislaturë është me dobëta që ka pasur Kosova.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abazi ka shkruar se kjo legjislaturë do të mbahet mend për ndërrimin e shisheve të ujit dhe aferën Zdarvo.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë!
Asaj që dukej në fillim të këtij mandati si shpresa transformuese e qeverisjes, po i vie fundi. Kurti u rreshtua në brazën e pushtetarëve që punoi ditë për ditë për të kapur shtetin, për të nënshtruar qytetarin e për ta bërë lypsar e në pritje të sadakasë dhe pashmangshëm e goditi rëndë shëndetin e demokracisë. Hyri në zgjedhje i rrethuar nga njerëz me ideale e me përgaditje po del nga pushteti i rrethuar me puthadorësh, interesgjinjë, aty këtu drogashitës dhe drogagjinjë, me asnjë njohje ndërkombëtare e asnjë sukses përveç lojërave mesdhetare që do të mbahen në vitin 2030 e që po rrezikohet mbajtja nga mospuna dhe lufta mes pushteteve për të marrë kredi për atë që nuk ka ndodhur ende! Tipike për varrmihës në rolin kryesor!
Data e zgjedhjeve u caktua sot për datën 9 Shkurt 2025. Më vjen mirë që po kthehemi te sovrani edhe pse vështirë të kemi zgjedhje demokratike me një sistem elektoral të këtillë dhe me këtë formë të deformimit të vullnetit qytetarë nëpër parti, që nuk janë parti por organizime të kapura që mbanë kontrollin një njeri dhe me çdo kusht kontrollon edhe procesin e kalimit tek njeriu i radhës. Për atë jemi ku jemi, por shpresat se do bëhemi nuk duhet t’i humbasim. E pamë edhe filmin e Kurtit, vet regjisor, vet skenograf, vet tekstshkuajtës dhe vet në rolin kryesor që vret të gjithë rrugës për të mbetur i vetëm në The End.
Kjo legjislaturë është më e dobëta dhe më e pakurriz se cilado deri tani në jetën parlamentare të shtetit tonë! Do të mbahet mend për ndërrimin e shisheve të ujit nga plastika në të qelqit dhe shumë shpejt u kthyen prap të plastikës- ky akt është sinonimi i reformave për zhvillim të qëndrueshëm , dhe afera ZDRAVO Radojcic- a e dini sa kushton ora e Abelard Tahirit!
Në këtë periudhë të mbetur të vjeshtës dhe dimrit do të ballafaqohemi me situata të komplikuara dhe me shumë të panjohura. Fushata ka filluar mbi urën e Ibrit dhe nga aty do të vazhdoj propaganda politike! Uroj të mos ndëgjojmë fjalime për imperializmin dhe revizionizmin perëndimor. Kështu si ka filluar nuk do më befasonte edhe një paraqitje e tillë. Komunistët janë gjallë në kry me shokun që gjuan thika pas shpine!
Një gjë, pas katër vite qeverisje, sot është e sigurtë se kemi më pak Drejtësi dhe shumë më pak Punë! As punë e as Drejtësi! Por kemi edhe më pak Demokraci, por kemi rritje enorme të çmimeve për çdo gjë dhe kemi 200 mijë banorë më pak!
Drejtësia as që shihet dhe as që ndjehet, sistemi i drejtësisë në të gjitha hallkat ka dështuar! Kemi pasë raste enorme të vrasjeve të grave, por edhe të burrave që kanë tronditur themelet e shoqërisë tonë, vrasja e gruas shtatzënë nga Shtimja në oborrin e QKUK me urdhër mbrojtje dhe vdekja e vajzës 4 vjeçare nga Gjakova janë vulat e shumë vrasjeve tjera dhe dhunës së çmendur! Drejtësi nuk ka as edhe në vendet e punës, të drejta e punëtorëve në të gjithë sektorët janë shkelur me flagrancë, sidomos në sektorin publik por edhe atë privat. Inspektorët e premtuar nuk arritën kurrë. Drejtësi nuk gjetën as edhe familjet e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, përkundër premtimeve dhe deklaratave pompoze, drejtësi nuk gjetën as policët e ushtarët që janë të pambrojtur dhe pa sigurim shëndetësor e jetësor, drejtësi nuk gjetën as veteranët që pritën të u kthehet dinjiteti dhe respekti për luftën, trimërinë dhe sakrificën e bërë, drejtësi nuk gjetën as pensionistët dhe as punëtorët që nuk e pranuan Serbinë si shtet. Më pak paguhen ata se sa shqiptarët që nuk i lëshuan vendet e tyre të punës. Drejtësi nuk gjetën as punëtorët e Fabrikës së Tubave që gjykata u njohi të drejtën për kompensim, por edhe katër vite të tjera kaluan pa u ekzekutuar vendimi!
Pa drejtësi janë edhe minatorët dhe familjet e tyre!
Të pa punë nuk ka pothuaj, jo pse qeveria krijoi superpunën, por sepse fuqia punëtore po e lëshon Kosovën, në katër vitet e fundit mbi 200 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën! Dmth diku 100 mijë vende të punës janë liruar së paku sepse ata që kanë një profesion ose zanatë kanë shkuar atje ku paguhen me dhjetëfishin e pagës së Kosovës dhe kanë shumë më shumë mundësi të avancimit në karrierë!
Investitorëve potencial nuk u hap dera, shumë shpesh as që e morën mundin të kthenin një email. Përderisa sektori privat ekzistues në Kosovë u ngulfat nga dinamika e ulët e zbatimit të reformave dhe me qëllim duke shprehur mosbesimin e skajshëm kundrejt ndërrmarësve privat!
Asnjë arterie kyesore rrugore nuk është përfunduar!
Mund të ketë tentim tani që të bëhen inagurime elektorale të projekteve gjysëm të kryera dhe me kualitet të dobët, shumë të dobët. Këto prerjet e shiritave me 20 palë gërshërë mund edhe të kenë aplaudimin e atyre që janë vënë në gjendje hipnoze nga Lulet e Varreve dhe diskursi arrogant, pa përmbajtje, joestetik e joracional i përplasjes me aleatët ndërkombëtarë.
Fiasko e plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe një dështim edhe më të madhë në raportet me Shqipërinë. Për të keq u bë historia e mospritjes së Kryeministrit të Shqipërisë në Kosovë.
Vazhdojmë me fushatën e pashpallur, mbi urën e Ibrit!