Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka njoftuar se atjë është ftuar si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike, e cila nis sot dhe zhvillohet në Çikago.
“Ky Kuvend Kombëtar i Demokratëve në ShBA është historik, në njërën anë kemi rrethana të papara dhe të papërjetuara edhe për vet ShBA-të, ndërkaq në anën tjetër kemi një entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe një vitalitet të demokracisë që është unik për mbarë botën”, ka thën Kurti.
“Në këtë Kuvend Kombëtar Demokratik do të zhvillojë edhe disa takime të rëndësishme, këtu jam ftuar si kryeministër i një shteti demokratik, dhe si kryetar i një partie socialdemokrate. Kosova, sidomos në vitet e fundit ka shëmuar një zhvillim të hovshëm ekonomik edhe një progres të shquar demokratik, meqenëse sa i përket sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit, edhe sa i përket lirisë së medias, të drejtave politike dhe civile, Kosova është kampion në Ballkanin Perëndimor. Kemi çka t’u tregojmë miqve dhe partnerëve amerikanë, dhe njëkohësisht të mësojmë nga përvojat e tyre të paçmueshme”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës. /Gazeta Enigma