Blinken përfundon vizitën në Lindjen e Mesme, nuk u arrit marrëveshje armëpushimi në Gazë

Blinken përfundon vizitën në Lindjen e Mesme, nuk u arrit marrëveshje armëpushimi në Gazë

Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit ka synuar që gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme të arrihej një marrëveshje armëpushimi në Gazë.

Mirëpo nuk ndodhi ashtu.

Blinken së bashku me ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari kanë bërë përpjekje për një propozim “kompromisi” të prezantuar nga SHBA-ja, e cila do të ndikonte direkt në raportin mes Izraelit dhe Hamasit në luftën 10 mujore, meqenëse negociatat e javës së kaluar përfunduan pa ndonjë marrëveshje.

Blinken për gazetarët në Doha gjatë së martës u deklarua se marrëveshja “duhet të bëhet dhe duhet të arrihet në ditët në vijim. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi” që kjo të arrihet”.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, që po qëndroi me Blinkenin në Lindjen e Mesme, tha se SHBA-ja pret që bisedimet për armëpushim të vazhdojnë këtë javë.

Të martën, Blinken qëndroi në Egjipt, ku zhvilloi bisedime me presidentin Abdel-Fatah El-Sisi, dhe më pas vizitoi Katarin.

Të hënën ai ishte takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Pas takimit me të, Blinken tha se Izraeli ka pranuar propozimin dhe i bëri thirrje edhe Hamasit që ta pranojë. Grupi radikal palestinez nuk e ka refuzuar propozimin në mënyrë eksplicite, por ka thënë se propozimi i fundit zhbënë kushtet për të cilat palët janë pajtuar paraprakisht.

Blinken gjithashtu theksoi se propozimi i fundit për marrëveshje “ndoshta është më i miri, ndoshta është mundësia e fundit”.

SHBA-ja dhe ndërmjetësit po synojnë të arrijnë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që nisi më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 40.000 persona. /Gazeta Enigma

Related Articles