Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Qeveria po mashtron lidhur me furnizimin me libra të fëmijëve nga klasa e parë deri në të nëntën.
Përmes një postimi në Facebook Hoti ka paraqitur fakte për të cilat thotë se tregojnë se që Ministria e Arsimit e kishte planifikuar blerjen e librave përmes procedurave të prokurimit dhe jo në formën e subvencionimit siç po bëhet tani.
“Kjo dëshmohet nga plani i prokurimit për 2024, të cilin MASHT e ka dorëzuar në AQP më 19 janar 2024. Shihni tabelën në rreshtin me ngjyrë të kuqe: “Blerja e librave për klasat 1-9 për vitin 2024/25”. Për këtë qëllim janë paraparë 9.47 mil. euro për të blerë 3.2 mil. copë libra, me çmim mesatar prej 3 euro për libër. Ky aktivitet i prokurimit është paraparë të fillojë më datë 28.06.2024”, ka shkruar Hoti.
Po ashtu sipas deputetit Hoti shtetit më shtrenjtë i kushton blerja e librave individualisht nga prindërit se sa pagimi i shtëpive botuese drejtpërdrejt nga buxheti.
Çdokush me dije elementare ekonomike e di se blerja e mallrave me shumicë kushton më lirë se blerja me pakicë. Dallimi përcaktohet nga marzha e fitimit e shitësve me pakicë.
Në dy vitet e fundit, Qeveria Kurti ka kaluar në blerjen me pakicë. Kështu që, buxhetit të shtetit dhe familjeve po u kushtojnë disa milionë më shtrenjtë librat e nxënësve.
Argumenti se po kursehet buxheti duke mos paguar shtëpitë botuese drejtpërdrejt nga buxheti është mashtrim.