Kryeziu: Kurti nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që rrezikon sigurinë kombëtare

Kryeziu: Kurti nuk do të ndërmerrte asnjë veprim që rrezikon sigurinë kombëtare

Deputetja nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe përgjegjësit e tjerë institucionalë nuk do të bënin ndonjë veprim që do ta rrezikonte sigurinë kombëtare, shkruan Enigma.

Ajo ka vlerësuar se hapja e urës është çështje e brendshme e Kosovës dhe nuk varet nga Serbia. 

“Hapja e Urës së Ibrit nuk mendoj se është çështje mes Kosovës dhe Serbisë, ka të bëjë krejtësisht vetëm me Republikën e Kosovës dhe nuk varet nga Serbia nëse do ta bëjmë një veprim të tillë dhe në anën tjetër është një veprim si i fundit në kuadër të veprimeve që është dashur të bëhen në pjesën veriore për të vënë ligj dhe rend atje, që faktikisht ka munguar në të kaluarën. Nuk besoj se ka pasur ndonjëherë shtrirje më të madhe të sovranitetit në veri, në fakt nuk ka pasur fare në të kaluarën. Ajo ka nisur në këto 3 vjet e gjysmë të fundit. Nuk besoj që kryeministri Kurti ose përgjegjësit e tjerë institucionalë do ta bënin një veprim të tillë nëse ai do ta rrezikonte apo cenonte sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë ajo të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.

Kryeziu ka thënë se ndërkombëtarët duhet të jenë më të qartë në deklaratat e tyre për këtë cështje. 

“As nuk pretendojmë të bëjmë veprime që do të na sillnin probleme me pjesëtarët e KFOR-it. Mendoj se ndërkombëtarët duhet të jenë më të qartë në deklaratat e tyre sa i përket kërkesës dhe nevojës së Republikës së Kosovës për të bërë një veprim të tillë dhe jo pafundësisht të anojnë te veprimet që i përshtaten Serbisë”, ka theksuar Kryeziu.

Ajo ka shtuar se Bashkimit Evropian i ka dalë nga kontrolli dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Edhe ata vetë e kanë kuptuar që dialogu i ka ikur prej duarve dhe po tentojnë ta kthejnë ta mbajnë atë duke rikthyer çështje që kanë ndodhur para 8-10 vjetësh sepse nuk po mund të fokusohen te çështja më e rëndësishme, siç është marrëveshja bazike dhe nuk po mund të fokusohen pikërisht për shkak të mënyrës se si po e trajtojnë Serbisë”, ka thënë ajo. 

Related Articles