Kreu i Inteligjencës Qendrore Amerikane (CIA), William Burns gjatë kësaj jave ka qëndruar në kryeqytetin serb, Beograd.
Për dallim nga qëndrimi në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, Burns përfundoi vizitën në kryeqytetin serb teksa nuk u bë e ditur se me kë u takua zyrtarisht, shkruan danas.rs.
Megjithatë, sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se ka pasur bisedë shumë të dobishme dhe të mirë me shefin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), Burns ndërsa qesh “me ata që komentojnë se vizita në Serbi ishte e fshehur dhe transparente në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë”.
“Ne, si një vend serioz, menduam se kjo ishte mënyra më e mirë e mundshme, dhe amerikanët, si vendi më serioz në botë, së bashku me Kinën, menduan se kjo ishte mënyra më e mirë e mundshme për të ndjekur vizitën”, tha kreu i shtetit serb.
Ai shtoi se temat ishin të rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe Serbisë, si dhe se kanë pasur një takim të denjë dhe të rëndësishëm.
Ndryshe, Burns fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreun e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ndërsa një ditë më pas edhe me kryeministrin, Albin Kurti.