Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë për gjendjen në Trepçë. Ai përmes një postimi në Facebook thotë se emëruesit dhe mbrojtësit e Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, u kërkojnë llogari hajnish, minatorëve të lënë pa paga për tre muaj rresht, shkruan Enigma.
Ky reagim i Abdixhikut vije pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të premten gjatë vizitës në Trepçë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin, u thotë minatorëve se si kolektiv duhet të punojnë që t’i zënë ata që po vjedhin në Trepçë.
“Hajde po punojmë bashkë, kushdo që vjedh me i nxanë”, dëgjohet duke thënë ministri Sveçla.
Kreu i LDK-së thotë se Qeveria aktuale ka përgjegjësi të plotë në Trepçë pasi ka katër vite që e menaxhon, e ka caktuar Bordin e Menaxhmentin, dhe se duhet të zgjedhin probleme e jo të ofendojnë minatorët.
Postimi i Abdixhikut:
Këta kanë keqkuptuar shtetin.
Kanë keqkuptuar rolet, kanë keqkuptuar përgjegjësitë, kanë keqkuptuar mbi të gjitha idenë se s’mund të sillen si kapadai!
Emëruesit dhe mbrojtësit e Nagipit e Martinit, u kërkojnë llogari hajnish, besoni ose jo minatorëve të ngratë të lënë pa paga për tre muaj rresht!
E ka katër vite që menaxhojnë vet me Trepçë.
Ky pushtet ka caktuar Bordin e Trepçës!
Ky pushtet ka caktuar menaxhmentin e Trepçës!
Ky pushtet ka caktuar fatin pa paga të Trepçës!
Përgjegjësi e plotë! Por marre nuk kanë hiç.
Këtë arrogancë pushteti e sjellje mbajeni në mend. Zgjedhjet janë afër. 9 shkurti po vjen. Kuptojeni se këta nuk njohin ndjenjën e shërbimit ndaj tjetrit sepse i shërbejnë veç vetes.
Siç nuk kuptojnë se aty – me 51% – janë për udhëheqje e zgjidhje problemesh; më së paku për ofendim, poshtërim e nënshtrim të hallgjorëve!