Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka thënë se do të mbetet i angazhuar bashkë me BE-në, që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, si dhe që Kosova të krijojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Këtë, i pari i Francës e tha në një tekst editorial të publikuar në “Politika”, para vizitës së sotme në Serbi.
“Në vitin 2019, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë evropianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim të ndihmonim rajonin që të shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura, ngritjen e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, shkroi Macron.
“Rruga që propozuam drejt normalizimit të nevojshëm ruan thelbin: mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë”.
Tutje Macron i bëri thirrjeve Serbisë dhe të rinjve serbë “që të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen”.
“Kjo rrugë është e trasuar: çdo gjë që ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje. Jam i bindur se ky kompromis është në përputhje me interesat e Serbisë dhe, duke marrë parasysh ndjenjat e forta të serbëve për këtë çështje, duke i respektuar ato, ftoj Serbinë dhe të rinjtë në Serbi që të zgjedhin paqen dhe të zgjedhin të ardhmen. Unë personalisht do të mbetem i angazhuar, pasi jam i sigurt se edhe BE-ja në tërësi do të mbetet e angazhuar në zbatimin e Marrëveshjeve të Ohrit dhe para së gjithash në krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe”.
“Dëshiroj ta mbyll duke thënë se vizita ime sot në Beograd, etapat e reja që po vendosim për bashkëpunimin tonë dypalësh, partneriteti real strategjik që po ndërtojmë, apeli që bëra për angazhimin vendimtar të Serbisë në anëtarësimin në BE. Bashkim, e gjithë kjo përbën një mesazh besimi në të ardhmen tonë të përbashkët dhe gjithashtu mënyra më e mirë për të ushqyer dhe thelluar miqësinë tonë kaq të çmuar”, përfundoi Macron.