Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se emisari i këtij shteti për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka ardhur në Kosovë për ta nxitur kryeministrin Albin Kurti të bëjë kompromis për CEFTA-n.
Megjithatë, Rohde ka vlerësuar se një gjë e tillë s’ka pasur sukses.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rohde ka shkruar nëse është e nevojshme, shtetet e tjera do të vazhdojnë pa Kosovën në marrëveshjen e BE-së për lehtësimin e këmbimeve tregtare për vendet e rajonit.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”, thuhet në postimin e Rohdes.