“Kosova të konsultohet me aleatët, zbatoni marrëveshjet e dialogut”

“Kosova të konsultohet me aleatët, zbatoni marrëveshjet e dialogut”

Deirdre Brown, zëvendësambasadorja britanike në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, ka theksuar shqetësimet e Mbretërisë së Bashkuar pas aksionit të fundit të Policisë së Kosovës ndaj institucioneve paralele serbe në katër komunat veriore të Kosovës.

Sipas saj, Britania dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të tregojë kujdes që komunitetet joshumicë të integrohen plotësisht, si dhe bëri thirrje që të ketë konsultime me aleatët ndërkombëtarë për veprimet si ato të aksioneve në veri më 30 gusht të këtij viti.

“Ne kemi qenë të qartë, duke përfshirë edhe me liderët e Kosovës, se veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë dhe partnerët e sigurisë të Kosovës, në mënyrë që të shmanget nxitja e tensioneve dhe disfavorizimi i më të cenuarve. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të sigurojë që komunitetet joshumicë të integrohen plotësisht në një Kosovë multietnike”, ka thënë Brown.

Zëvendësambasadorja britanike në OSBE ka pohuar se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në procesin e dialogut, si dhe të zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e nënshkruara ndër vite.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, për të zbatuar të gjitha angazhimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të tyre dhe për të arritur të ardhmen paqësore, të qëndrueshme dhe të begatë që qytetarët e tyre meritojnë”, ka deklaruar Brown.

Related Articles