Pas 27 vitesh pritjeje dhe pasigurie, familja e doktor Adem Ademit ka marrë lajmin se ai është identifikuar përmes analizave të ADN-së në laboratorin e Hagës.
Lajmin e ka bërë të ditur djali i tij, Erblin Ademi, i cili po ashtu është doktor, përmes një njoftimi publik.
Ai ka bërë të ditur se familja është informuar nga institucionet e Kosovës për rezultatet e analizave të ADN-së, të cilat kanë mundësuar identifikimin e babait të tij, doktor Adem Ademit.
Pas gati tri dekadash kërkimi të së vërtetës, ky lajm shënon një moment të rëndësishëm për familjen, e cila tashmë do të ketë mundësinë që të afërmin e tyre ta përcjellë për në banesën e fundit me nderimin dhe dinjitetin që meriton.
Në njoftim, familja Ademi ka shprehur mirënjohje për institucionet e Republikës së Kosovës, zyrtarët, hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore që kanë kontribuar ndër vite në zbardhjen e fatit të doktorit.
Dr. Adem Ademi do të kujtohet për përkushtimin e tij si mjek dhe kirurg, për jetët që shpëtoi dhe kontributin e dhënë për njerëzit dhe shoqërinë.
Familja ka bërë të ditur se për datën dhe kohën e varrimit, si dhe për hapjen e të pames, do të njoftojë në ditët në vijim.
