Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të amerikës nuk kanë kërkuar asnjëherë që ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mbahet e mbyllur.
Sipas saj kërkesa e SHBA-së është që të vendoset bashkë data e hapjes bazuar në vlerësimet e sigurisë.
Këto deklarime ajo i ka bërë gjatë një interviste për Kallxo.com.
“Po vlerësohet që duhet të bëhen përgatitje bashkë me aleatët, koordinim i përbashkët edhe për çështjen e urës, në mënyrë që të veprojmë bashkërisht. Në asnjë moment Amerika nuk po kërkon ta mbajmë urën mbyllur. Po kërkon që të ulemi bashkë dhe të vendosim datën bashkë duke u bazu në vlerësime të përbashkët të sigurisë. Unë nuk e di kush po e refuzon se unë s’jam prezente në takimet e ambasadorit me Qeverinë”- ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se kërkesën për koordinim asnjëherë nuk e konsideron si nënshtrim.
Ndërsa ka thënë se për të ka qenë e papranueshme kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë që çështja e Urës së Ibrit të diskutohet me Serbinë në Bruksel.
Sipas saj, synimet me SHBA-në janë të njëjta ndërsa momentum duhet të zgjidhet bashkë. /Gazeta Enigma