Dy persona raportohet të kenë mbetur të vrarë me armë zjarri këtë të martë në Roskovec të Fierit.
Viktimat janë Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj, xhaxha e nip. Ndërsa autor i dyshuar i krimit të rëndë është Altin Kuka, 49 vjeç. Ky i fundit mësohet se është vetëdorëzuar në polici së bashku me armën e krimit.
Në një deklaratë për mediat, kreu i policisë së Fierit, Shpëtim Hasanaliaj tha se pas vetëdorëzimit në polici, 49-vjeçari Kuka tha se e kishte kryer krimin për shkak të një konflikti të çastit që i biri kishte pasur me viktimat, raporton Tv Klan, përcjellë Gazeta Enigma.
“Rreth orës 14:00, në fshatin Kurjan, Roskovec, në rrethana ende të paqarta, shtetasi Altin Kuka, 49 vjeç, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasit Lavdimir Kurtaj dhe Gramos Kurtaj Shërbimet e Policisë po shoqërojnë në Komisariat, autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Altin Kuka. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar armën e dyshuar të krimit (armë zjarri automatike). Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha policia e Fierit në një informacion paraprak për mediat.