Qeveria e Kosovës sot me votë unanime ka votuar pro projektligjit të ndryshuar për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, raporton Gazeta Enigma.
E për këtë Kurti ka thënë se “pavarësisht tendencave për ta zvarritur jetësimin e këtij ligji, Byroja do të bëhet”.
Kurti pati kritika për Gjykatën Kushtetuese, të cilës sipas tij iu deshën 17 muaj për të nxjerrë një aktgjykim për këtë Ligj.
LEXO EDHE: Qeveria voton projektligjin për Byronë me disa ndryshime
“Njëra ndër nismat më të rëndësishme të qeverisë sonë, përmes së cilës luftohet keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ndiqet pasuria e pajustifikueshme është koncepti i konfiskimit civil. Ndonëse ligji për Byronë ishte votuar në Kuvend më 9 shkurt 2023, një grup opozitar e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatës Kushtetuese iu deshën plot 17 muaj për të nxjerrë aktgjykim për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, 17 muaj për një aktgjykim i cili rrëzoi vetëm katër nene nga gjithsej 71 sa kishte ligji”, theksoi ai.
Ai tutje shtoi se “Byroja gjithashtu do të shërbejë edhe si parandalim që kurrë më të mos keqpërdoret buxheti i shtetit dhe pozita zyrtare”. / Gazeta Enigma.