Prokurori i Banjskës: I akuzuari kryesor është Milan Radoiçiq, ai e ka pasur rolin më të rëndësishëm

Prokurori i Banjskës: I akuzuari kryesor është Milan Radoiçiq, ai e ka pasur rolin më të rëndësishëm

Gati një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë për këtë rast, shkruan Gazeta Enigma.

Prokurori i rastit Banjska, Naim Abazi, ka dhënë detaje për aktakuzën e ngritur lidhur me këtë rast.

Sipas tij, janë të akuzuar 45 persona. Ai ka thënë se kanë pasur shumë vështirësi në hetimin e këtij rasti, kurse i akuzuari kryesor është Milan Radoiçiq.

“Kemi realizuar 65 intervista, janë analizuar 150 pajisje elektronike, mbi 1 mijë armë, dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë rast. Kemi hasur disa sfida të bashkëpunimit. Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast, ka qenë shtytësi kryesor ta tejkalojmë këtë sfidë. Aktakuza përfshin 45 persona me role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal, duke filluar nga grumbullimi i grupit. Ndër të akuzuarit kryesor është Milan Radoiçiq që ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale. Kemi bërë dhjetëra kërkesa në shtete të ndryshme ku kemi arritur të sigurojmë dëshmi të ndryshme. Këto kërkesa kanë qenë jetike për të siguruar burimet e financimit, për ngritjen e aktakuzës së fuqishme”, tha Abazi.

“Kemi sekuestruar prona, automjete të blinduara, llogari bankare, të cilat janë fituar nga aktivitete të paligjshme, janë konfiskuar mbi 1 mijë armë. Ky veprim ka për qëllim të parandalojë veprimin e këtyre aktiviteteve. Fondet janë transferuar nëpërmjet rrjeteve duke përfshirë biznese të regjistruar në emër të personave të tretë. Gjurmimi ka kërkuar analizë të detajuara. Nga kjo aktakuzë presim që të gjithë të mbahen përgjegjës, kjo nuk është vetëm betejë ligjore. Presim që ky rast të shërbejë si paralajmërim për të gjithë ata që mendojnë ta shkelin ligjin e rrezikojnë sigurinë publike në Kosovë”, deklaroi ai.

Related Articles