E përzgjedhura e Sllovenisë për Komisionerin e ardhshëm të BE-së, Marta Kos, është akuzuar për lidhje me shërbimet sekrete ish-jugosllave, nga kreu i delegacionit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) të Sllovenisë në Parlamentin Evropian, Romana Tomc.
Tomc tha për “Euroneës” se Marta Kos është “plotësisht e papranueshme” dhe “problematike” për EPP, grupi më i madh në Parlament, duke përmendur përvojën e Kosit dhe lidhjet e pretenduara me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë.
Megjithatë, Kos tha se këto akuza u shfaqën fillimisht kur shpalli kandidaturën për presidencë të Republikës së Sllovenisë në vitin 2022, “me qëllim që të më diskreditonin”.
“Para se të bëhesha ambasadore në Gjermani dhe Zvicër, u kontrollova nga shërbimet e sigurisë në të dy vendet; mora miratimin tim pa asnjë problem. Nëse do të dëmtoja ndonjëherë interesat e Sllovenisë, nuk do të mund të punoja në qeverinë sllovene apo të isha ambasadore”, tha Kos.
Për pretendimin e Tomc se Kosit i mungonte përvoja ekzekutive, ajo tha se ishte një gënjeshtër dhe një shpifje.
“Kam qenë drejtore e Zyrës së Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për Komunikim dhe Zëdhënëse e Qeverisë për dy vjet; Nënkryetare e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Sllovenisë për tre vjet. Pikërisht gjatë kësaj kohe isha mbikëqyrësja e zonjës Tomc, e cila duket se e ka harruar këtë. E mbaj mend mirë, sepse ka bërë një punë të mirë si shefe e Shërbimit të Prokurimit Publik”, tha Marta Kos.
“Gjatë mandatit tim shtatëvjeçar si ambasadore, katër vjet në Gjermani dhe tre vjet në Zvicër, kam pasur nderin që jam shpallur Ambasadorja e Vitit në vitin 2016 (nga Diplomatisches Magazin). Kam marrë edhe medaljen e lartë gjermane të nderit për punën time – Kryqi i Madh i Meritës i Urdhrit të Meritës së Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Kos, duke shtuar: “Kam shërbyer si drejtore e GKTI Slloveni, një kompani ekskluzive e Gustav Käser Training International në Zvicër, për tetë vjet”.
“Vërejtja e Tomc se jam nominuar vetëm sepse jam grua, shpërfill njohuritë, përvojën dhe kompetencën time të gjerë nga një karrierë 35-vjeçare. Po, unë jam grua, por ajo që ka më shumë rëndësi janë gjithmonë ekspertiza, kompetenca dhe aftësia për të kontribuar në mënyrë kuptimplote”.
“Gjinia nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kualifikimi kryesor për role të tilla. Deklarata e saj bie gjithashtu kundër një prej objektivave më të rëndësishme të BE-së, që është promovimi i barazisë gjinore”, sipas Kos.
Sipas ligjit, Kos tani duhet të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të Komitetit të Çështjeve të BE-së të Asamblesë Kombëtare Sllovene, e cila fillimisht ishte caktuar për të premten.