Vuçiq për tregun e hapur rajonal: Ata që s’duan të jenë pjesë bien nga loja

Vuçiq për tregun e hapur rajonal: Ata që s’duan të jenë pjesë bien nga loja

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia dëshiron Ballkanin e Hapur Perëndimor, dhe se ata kanë pranuar gjithçka në këtë drejtim, shkruan Enigma.

“Këtu ai që nuk dëshiron të marrë pjesë del nga loja, ndërsa të tjerët qëndrojnë në lojë. Ne mbetemi në lojë dhe kemi pranuar gjithçka në këtë drejtim. Ne duam një Ballkan të hapur Perëndimor, duam hapjen e kufijve, qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve”, pretendoi Vuçiq.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, muajin e kaluar tha se emisari gjerman, Manuel Sarrazin, kishte ardhur në Kosovë për ta nxitur kryeministrin Albin Kurti për të bërë kompromis për CEFTA-n që Kosova të zhbllokojë ndalesën për importin e mallrave serbe dhe në këmbim të zëvendësohet UNMIK-u  – me të cilin është përfaqësuar Kosova – me Kosovën, por tha se kjo përpjekje ishte e pasuksesshme.

Ndërkohë, ai kishte paralajmëruar se mund të vazhdohet edhe pa Kosovën.

“Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit”, kishte thënë ai.

Edhe dje ambasada gjermane e përsëriti këtë qëndrim.

“Natyrisht, politika e ftesave e Procesit të Berlinit nuk do të ndryshojë dhe ne shpresojmë që Kosova të vazhdojë të marrë pjesë. Megjithatë, nëse Kosova vazhdon të bllokojë çdo përparim të mëtejshëm në Tregun e Përbashkët Rajonal, ne do të gjejmë një mënyrë për të vazhduar këtu pa Kosovën”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Related Articles