Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës ka pritur në takim shefin e Zyrës së BE-së në Republikën e Kosovës, Aivo Orav.
Haxhiu, atij i uroi mirëseardhje dhe sukses në detyrën e tij të re.
Sipas një njoftimi të lëshuar për media bëhet e ditur se, Haxhiu e njoftoi Orav për punën dhe arritjet e deritanishme në Ministrinë e Drejtësisë brenda mandatit, duke theksuar këtu reformën në drejtësi, luftimin e korrupsionit, adresimin e krimeve të luftës, parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe fuqizimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare si dhe ato të Profesioneve të Lira mes tjerash.
Në takim gjithashtu është diskutuar për rëndësinë e reformës në drejtësi dhe për çështje të tjera në kuptim të bashkëpunimit në forcimin e rendit dhe sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Në fund, Haxhiu falënderoi ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë për gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim dhe mbështetje për Republikën e Kosovës. /Gazeta Enigma