Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për në New York, ku do të merr pjesë në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton gazeta “Enigma”.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ku thuhet se me pjesëmarrjen e Kurtit atje synohet “thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere” dhe “fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse”.
“Përmes pjesëmarrjes në Javën e Nivelit të Lartë dhe takimeve të parapara synohet thellimi i raporteve bilaterale me vende partnere, fuqizimi i mëtejmë i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë në raport me vendet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe prezantimi i mundësive dhe përparësive që Republika e Kosovës ofron për investitorë të huaj”, shkruhet në komunikatën e ZKM-së.
Në njoftim po ashtu bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Kurti bashkë me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla do të takojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës atje.
“Në fund të vizitës, kryeministri Kurti do mbajë ligjëratë në Universitetin prestigjioz Yale, mbi rrugëtimin demokratik të Republikës së Kosovës 25 vjet pas çlirimit, qeverisjen dhe rritjen ekonomike”, thuhet në komunikatë.