Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit Fikrim Damka, shtatë muaj pasi Gjykata Themelore e hodhi atë poshtë. Kolegji gjykues i Apelit ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, duke konstatuar shkelje esenciale sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale.
Damka, si ministër i Zhvillimit Rajonal, dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj, akuzoheshin nga Prokuroria Speciale se ua kanë mundësuar jashtëligjshëm përfitimin prej një milion eurosh për “Caritasin Zviceran” dhe për organizatën “Germin”, në periudhën 2021-2022.
Sipas njoftimit, Apeli ka konfirmuar aktakuzën për “keqpërdorim të pozitës zyrtare” ndaj Damkës dhe Kamberajt, edhe pse Themelorja vendosi ta pushojë procedurën me arsyetimin se “nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale në mungesë të provave”.
Aktualisht në Qeverinë “Kurti 4”, Damka është zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim.
