Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka nisur takimet me qytetarë, ku së fundmi ka mbajtur një tubim në Krushevë e Madhe të Klinës. Nga atje ai ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se sa është në pushtet ka keqqeverisur, nuk ka njohje, as investime kapitale, dhe është e izoluar ndërkombëtarisht, shkruan Enigma.
Ai ka thënë se në zgjedhjet e 9-shkurtit do të vendoset nëse do të “dorëzohet Kosova tej e majta” apo do ketë “kthim në rrugëtimin tradicional”.
“Ne duhet të vendosim, a po i kthehemi rrugëtimit tonë tradicional apo po e dorëzojmë Kosovën tek e majta e tek ata që edhe na prishin me aleatë, as nuk bëjnë zhvillimin ekonomik, edhe i largojnë njerëzit prej Kosovës edhe mbesin gjithë ditën tu u anku se çka ka ndodhur për 20 vitet e kaluara”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se “një Kosovë e dobët ekonomikisht dhe e izoluar ndërkombëtarisht është ajo që e do Serbia. Të dyja këto elemente i ka dhuratë prej kësaj qeverie. Sot Kosova nuk numëron asnjë njohje, është pa investime kapitale, me sanksione ndërkombëtare dhe e izoluar ndërkombëtarisht. Të gjitha këto për katër vite keqqeverisje!”.
Abdixhiku ka bërë edhe një postim në Facebook për këtë takim, ku ka thënë se përgjatë Qeverisë Kurti, Kosova ka ngecur.
“Asgjë si takimet me familjet kosovare. Sonte (26 shtator), qëndrova në fshatin Krushevë e Madhe të Klinës, në mikëpritjen e familjes Bekaj dhe kryefamiljarëve të këtij fshati. Një tjetër pritje e ngrohtë, një tjetër thirrje për planin tonë. I prezantova idetë e pakot tona për familjen e fëmijët, për pagat, për shtetin dhe vet rrugëtimin tonë afatgjatë”.
“Përgjatë katër viteve të shkuara, Kosova ka ngecur. Qytetarët tanë, familjet kosovare, janë mashtruar e lënë në mëshirë të çmimeve të larta, pagave të ulëta, pasigurisë e vet propagandës. Shpresa e premtuar u është vjedhur. Me 9 shkurt ata flasin sërish. Ndryshimi është i mundshëm; e LDK dhe unë do të bëjmë çmos që atë ta jetësojmë në plotni”, ka shkruar ai.