Kurti jep intervistë për median ukrainase, Vuçiqin e quan “Putin të Vogël”

Kurti jep intervistë për median ukrainase, Vuçiqin e quan “Putin të Vogël”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për agjencinë e lajmeve të Ukrainës UNIAN.

Aty ai ka folur për për ndihmën e Kosovës për Ukrainën, për atë si funksionon Kosova pranë fqinjit të saj armik dhe nëse Rusia do të bëhet ndonjëherë një vend demokratik.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se Kosova po i ndjek zhvillimet në Ukrainë dhe “jemi të indinjuar nga agresioni ushtarak i paligjshëm, i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër një shteti fqinj”.

“Ne duam që Ukraina të fitojë. Kjo fitore, nga këndvështrimi im, do të thotë çlirim i të gjithë territorit të vendit nga trupat ruse, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, respektim i sovranitetit shtetëror dhe të drejtave të njeriut”, ka thënë ndër të tjera kryeministri në këtë intervistë, transmeton Gazeta Enigma.

Kurti u shpeh se kur shpërtheu një luftë në shkallë të gjerë në Ukrainë, “të gjitha kujtimet nga e kaluara u kthyen. Edhe për ne ishte e vështirë, sepse populli i Kosovës në agresionin ndaj Ukrainës e pa gjithë tmerrin që përjetoi në vitet 1998-1999 gjatë luftës në vendin e tyre”.

Derisa shtoi se, “një arsye tjetër për mbështetjen tonë për Ukrainën është më shumë politike, e lidhur me pasojat e mundshme për Ballkanin. Mund të supozohet se Rusia ka plane për të zgjeruar luftërat që po bën. Përfshirë territorin e rajonit të Ballkanit”, deklaroi Kurti.

Tutje, Albin Kurti u pyet edhe raportet mes Kosovës dhe Ukrainës.

“Para disa vitesh, një gazetar më pyeti: ‘Nëse pavarësia e Kosovës shpallej në mënyrë të njëanshme dhe interpretohej si ushtrim i të drejtës për vetëvendosje, atëherë po për vetëvendosjen e Krimesë, sepse atje kishte referendum?’. Unë u përgjigja se vetëvendosja ishte demokratike dhe në referendumin e Krimesë pashë ushtarë rusë që mbanin kuti votimi. Është e pamundur të pretendohet se kjo është një shprehje demokratike e vullnetit apo garantim i së drejtës për vetëvendosje. Gazetari nuk kishte më pyetje”, u shpreh Kurti fillimisht, teksa tha se rasti i Kosovës dhe i Krimesë janë raste të kundërta, “sepse Krimenë e ka pushtuar një shtet i huaj, Federata Ruse, ndërsa Kosova është çliruar”.

“Në territorin e saj jetojnë 92% e shqiptarëve që donin të çliroheshin nga Serbia. Kjo lëvizje u përkrah edhe nga pakicat kombëtare. Përveç kësaj, shumë serbë, të cilët përbëjnë 4% të popullsisë së Kosovës, gjithashtu dëshirojnë të jetojnë këtu dhe të mos jenë nën direktivat e Beogradit”.

“Në vendin tonë në vitet e 90-ta u shpalos një luftë popullore për çlirim, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Si kundërpërgjigje, Serbia filloi gjenocidin. Serbia ka bërë shkatërrimin e qëllimshëm të shqiptarëve në territorin tonë në fund të shekullit të 19-të, pastaj gjatë Luftës Ballkanike, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore”.

“Imagjinoni, në vitin 1999, 19 anëtarë të NATO-s vendosën së bashku të bombardojnë një vend evropian – Serbinë. Sot, ne shohim se 19 vende nuk do të ishin në gjendje të miratonin një deklaratë për shtyp për disa çështje”.

“Pastaj ata së bashku thanë: ‘Po, duhet t’i bombardojmë’. Është keq, por ishte e vetmja mënyrë për të ndaluar gjenocidin. Situata ishte e tillë që çlirimi i Kosovës ishte kryengritje e popullit dhe e Ushtrisë Çlirimtare. Dhe ndërhyrja e NATO-s nuk mund të krahasohet me pushtimin e Krimesë”, potencoi kryeministri i Kosovës.

Ndër të tjera, kryeministri Kurti e quajti presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq një “Putin të vogël”.

Kurti gjatë kësaj interviste diskutoi edhe për një sërë temash tjera./Gazeta Enigma

Related Articles