Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova sërish do ta ndalojë lëvizjen e mallrave serbe, duke reaguar pas vendimit të Qeverisë që të hapet pika kufitare në Merdar.
Ai ka thënë të hënën se hapja e pikës është e rëndësishme për ekonominë serbe, duke shtuar se Kosova “sërish do ta ndalojë atë”.
“Të gjithë i dinë qëllimet e Prishtinës, por duke i njohur gjermanët, e di se do të vazhdojnë të insistojnë në qarkullimin e lirë të mallrave. Kjo është e rëndësishme për ekonominë serbe. Dhe a do të bëjnë gjithçka për ta ndaluar atë – po. Ai tash do të shpikë skanerë, kështu që ai do t’i presë ata skanerë për 11 muaj, pastaj 22 muaj dhe kështu vazhdimisht do të shpikë diçka”, tha Vuçiq, transmeton “Tanjug”.
Presidenti serb pretendon se autoritetet e Kosovës këtë vendim do ta ndalojnë pas disa ditëve.
“Pres që vetëm në ditën e tretë të ndalojnë dikë se nuk e di se çfarë, ditën e katërt të gjithë kalimin, e ditën e pestë do të thonë ‘kemi gjetur dy plumba të kalibrit 7-62’, të cilët do t’i vendosin vetë pastaj do të thonë ‘do ta mbyllim për 11 muajt e ardhshëm derisa t’i gjejmë skanerët’. Por, sido që të shkojë, është gjithmonë më mirë se asgjë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se nuk ka besim te Prishtina kur bëhet fjala për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit apo ndonjë marrëveshje tjetër.
“Kjo s’ndryshon sepse i njoh mirë”, tha ai.
Ai ka thënë se ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz për situatën në Kosovë, duke u shprehur se qëndrimi i tij dhe i Scholzit ndryshojnë për çështjen e Kosovës.
“Ne shprehëm qëndrime të ndryshme për çështje të caktuara që kanë të bëjnë me ‘Kosovën e Metohinë’., por edhe me marrëveshje të mëdha për tema tjera botërore”, ka deklaruar Vuçiq.