Gjykata e Fierit ka dënuar këngëtarin dhe ish-noterin Luiz Ejlli me një vit burg, pas hetimeve që zbuluan përfshirjen e tij në një rast falsifikimi dokumentesh. Sipas akuzës, Ejlli, në cilësinë e ish-noterit, së bashku me një shtetas tjetër me inicialet F.A, kanë falsifikuar një deklarate noteriale.
Sipas gjykatës deklarata noteriale u përdor nga shtetasi F.A. për të justifikuar burimin e pasurive të tij me prejardhje të dyshuar nga aktiviteti kriminal.
Prokuroria e Fierit argumentoi se deklarata noteriale, e hartuar nga Ejlli, ishte falsifikuar jo vetëm në përmbajtje, por mbante nënshkrimin dhe vulën e tij, pavarësisht se ai nuk kishte më licencë për të ushtruar funksionin e noterit.
Hetimet zbuluan se, në regjistrat noteriale të vitit 2015, ekzistonte një tjetër deklaratë me të njëjtin numër repertori, por me palë të ndryshme, duke vërtetuar kështu falsifikimin, raporton euronews.al, përcjellë Gazeta Enigma.
“Deklarat noteriale e hartuar nga i pandehuri L.E., ishte falsifikuar në përmbajtjen e saj, por mbante nënshkrimin e këtij të fundit. U provua se, me të njëjtën datë, numër repertori e koleksioni që mbante kjo deklaratë noteriale, në regjistrin e ish noterit L.E. dhe në arkivën e akteve noteriale të hartuara prej tij, në vitin 2015, ekziston një deklaratë noteriale me palë të ndryshme.
Konkretisht, i pandehuri L.E, megjithëse i ishte hequr licensa nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë ende në posedim të vulave të noterit, në bashkëpunim me të pandehurin F.A., kanë krijuar deklaratën noteriale me të dhëna të pavërteta, dhe më pas i pandehuri F.A., në datën 25.02.2022, e ka dorëzuar këtë deklaratë noteriale në ish-Prokurorinë Lushnjë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
VENDIMI I GJYKATËS:
Në datën 02.10.2024, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor të çështjes dhe vendosur të deklarojë fajtor të pandehurit për faktin e dërguar për gjykim, si më poshtë:
Deklarimin fajtor të të pandehurit L.E., për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 prag.2, i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) muaj burgim;
Deklarimin fajtor të të pandehurit F.A, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe dënimin e tij me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj burgim.