Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka shprehur shqetësim për situatën në pikën kufitare të Merdares, e vetmja që Qeveria e Kosovës e ka hapur për kalimin e mallrave nga Serbia.
Ai ka theksuar se atje ka “nervozizëm” dhe se inspektimet po zgjatin më shumë seç pritej.
Në lidhje me kryeministrin Albin Kurti, Vuçeviq ka thënë se ai është “nervoz për zgjedhjet e planifikuara për 9 shkurt të vitit të ardhshëm, si dhe për zgjedhjet amerikane”, që sipas tij, do të kenë ndikim të madh në fatin e botës dhe gjeopolitikës në të ardhmen.
Vuçeviq ka kritikuar Kurti për krijimin e kushteve që, siç tha ai, pengojnë jetesën normale të serbëve në Kosovë.
Ai e përshkroi si një “gjë të mirë” lejimin e hyrjes së mallrave nga Serbia, por theksoi se në praktikë kjo është e vështirë, pasi vetëm vendkalimi i Merdares është i hapur.
“Inspektimet zgjasin me qëllim, duke krijuar nervozizëm dhe vështirësi për hyrjen e mallrave serbe në Kosovë,” tha Vuçeviq për TV Pink, transmeton Gazeta Enigma.
Ai shtoi se pret hapjen e vendkalimeve Jarinje dhe Bërnjak, duke e konsideruar këtë situatë si një “lojë durimi” dhe lëvizje të vogla në një lojë më të madhe.