Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë javën e ardhshme gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, si shenjë e angazhimit të saj për afrimin e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Kjo vizitë vjen pas rizgjedhjes së saj për një mandat të ri pesëvjeçar, gjatë të cilit procesin e zgjerimit e ka vendosur ndër prioritetet kryesore, njofton Gazeta Enigma.
Gjatë vizitës, von der Leyen do të përqendrohet në ndihmën që BE-ja po ofron për të mbështetur reformat dhe përgatitjet e vendeve të rajonit për avancim në procesin e integrimeve evropiane.
Ajo do të fillojë turneun e saj më 23 tetor në Shqipëri, ku do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, dhe do të marrë pjesë në përurimin e Kampusit të Kolegjit Evropian në Tiranë.
Më pas, më 24 tetor, von der Leyen do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën, ku do të shqyrtojë zonat e goditura nga përmbytjet dhe do të shprehë gatishmërinë e BE-së për ndihmë.
Në Serbi, ajo do të qëndrojë më 25 tetor për një takim me presidentin Aleksandar Vuçiq, dhe në Kosovë do të vizitojë më 26 tetor, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e von der Leyen do të përfundojë në Podgoricë, ku do të takohet me liderët e Malit të Zi. Pas kësaj vizite, Komisioni Evropian do të publikojë paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e rajonit, me fokus në paketën e BE-së për rritje dhe reforma, e cila parashikon ndihmë financiare prej 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor.
Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon pa statusin e vendit kandidat./GazetaEnigma/