Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka theksuar se Kosova ka kapacitetin për të shmangur problemet me furnizimin me ushqim dhe veshmbathje për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Qalaj theksoi se, ndryshe nga Serbia, e cila blen aeroplanë, Kosova nuk ka buxhet për të investuar në avionë, por ka mjete për nevojat tjera.
“Çdo investim në institucionet e sigurisë është i rëndësishëm. Ne duhet t’i pajisim ushtarët tanë me armatim dhe pajisje të përshtatshme. Është e papranueshme që ushtarët tanë të kenë probleme me ushqimin, çizmet dhe uniformat,” tha Qalaj, transmeton GazetaEnigma.
Ai theksoi se, megjithatë, Kosova ka mjaftueshëm burime për të siguruar këto nevoja themelore, duke e quajtur këtë një detyrë të rëndësishme për çdo qeveri, pavarësisht se cila do të jetë ajo.