Begaj në Bosnjë: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Begaj në Bosnjë: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Në një konferencë për media të mbajtur në Sarajevë, anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, diskutuan mbi çështjen e njohjes së Kosovës dhe heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, vlerësoi vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të hequr regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjës, duke e quajtur një “lëvizje të paprecedentë” dhe një “mesazh shumë të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal”, shkruan Gazeta Enigma.

Në të njëjtën linjë, anëtarja e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, theksoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Berlinit dhe katër lirive të Bashkimit Evropian, por u shpreh skeptike në lidhje me përfshirjen e Kosovës në bisedat mes Bosnjës dhe Shqipërisë.

Ajo tha se përfshirja e Kosovës në këto biseda “nuk është dhe nuk duhet të jetë tema e bisedës sonë.”

Ndërkohë, presidenti Begaj përsëriti se pavarësia e Kosovës është një “realitet i pakthyeshëm” dhe theksoi se njohja e Kosovës do të kontribuonte në paqe, siguri dhe stabilitetin në rajon.

Ai nënvizoi se Kosova ka treguar përkushtim për forcimin e fqinjësisë së mirë dhe ka kontribuar aktivisht në bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.

Related Articles