Haradinaj: Procedimi i Asociacionit të jetë në këmbim të garancive për anëtarësim të shpejtë në NATO

Haradinaj: Procedimi i Asociacionit të jetë në këmbim të garancive për anëtarësim të shpejtë në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur mendimin se projekt-statuti i Asociacionit duhet dërguar në gjykatë. Megjithatë, ai theksoi se situata aktuale është e vështirë për Kosovën, pasi Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshjet që do të garantonin zbatimin e tyre.

Në një intervistë për Zëri i Amerikës, Haradinaj propozon që Kosova të kërkojë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për anëtarësimin e përshpejtuar në NATO si një kundërvlerë për avancimin me procesin e Asociacionit, transmeton Gazeta Enigma.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj pyetje të drejtpërdrejtë, a duhet qeveria e Kosovës të çojë projekt-statutin në Gjykatën Kushtetuese?

Ramush Haradinaj: Po duhet, por Asociacioni është diskutuar gjatë dhe dikur ka qenë kundërvlerë e njohjes nga Serbia, pra kundërvlerë, Kosova procedon me Asociacionin, Serbia e njeh Kosovën. Tani kemi një situatë jo të lehtë për Kosovën për shkak se Serbia nuk pranon t’i nënshkruajë marrëveshjet që ka ra dakord ashtu siç ka kërkuar qeveria e Kosovës dhe kryetari i qeverisë. Por edhe pse është kështu kjo situatë, unë do të kisha vepruar si vijon; kisha kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kundërvlerën e veprimit me Asociacionin me anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Pra procesin deri në NATO edhe si mundësi, sepse askush nuk mund ta garantojë që në një periudhë kohore të tillë deri kur do të ndodhë kjo për shkak të katërshes jonjohëse. Unë do të kisha vepruar në kontratë bilaterale me SHBA-në e do të kisha vepruar me të gjitha obligimet e dialogut në mënyrë që të arrijmë NATO-n.

Related Articles