Britania e Madhe lë pas krahëve emergjencën e Covid-19. Boris Johnson pritet të njoftojë heqjen e të gjitha kufizimeve, me objektivin e rikthimit të lirisë për qytetarët. “Dita e çlirimit”, është parashikuar në 19 korrik.
Nga ajo ditë, maska nuk do të jetë më e detyrueshme në dyqane apo mjete publike, rregulli i distancimit social nuk do të jetë më i detyrueshëm, do të rihapen diskotekat e nuk do të vlejë më rekomandimi për të punuar nga shtëpia.
“Mendoj se është pak vonë por mezi po pres. Po, ka ende raste por jo shumë njerëz po vuajnë tani nga koronavirusi. Mendoj se ekonomia dhe shëndeti mendor i qytetarëve janë ato që po vuajnë më shumë”, thotë Mandy, një sekretare në Londër.
Kryeministri thuhet se do të theksojë se rikthimi në normalitet i detyrohet suksesit të fushatës së vaksinimit, që shkëputi lidhjen mes infektimeve dhe vdekshmërisë. Në të njëjtën kohë Johnson do të paralajmërojë se rastet mund të rriten sërish, por se duhet të mësoheshin të jetonin me virusin, ashtu siç bëhet edhe me gripin.
“Do të jetë në dorë të qytetareve. Unë do të vazhdoj ta mbaj maskën në zonat e mbyllura, por mendoj se duhet të mësohemi të jetojmë me këtë”, thotë një qytetare.
Britania e Madhe do të bëhet kështu i vetmi vend i madh në botë, që i rikthehet normalitetit të para pandemisë pavarësisht rritjes së rasteve gjatë javëve të fundit për shkak të variantit Delta.
Por tashmë, 2/3 e popullsisë së rritur janë plotësisht të imunizuar dhe 86 për qind ka marrë të paktën një doza të vaksinës.
Kjo ka bërë që varianti më i transmetueshëm të mos kishte ndikim të rëndësishëm në shtrimet në spital, e veçanërisht vdekjet.