Konsullata e Republikës së Kosovës në Strasburg u inaugurua në një ceremoni solemne, e cila u mbajt në prani të ambasadorëve, konsujve, eurodeputetëve dhe miqve të Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dhe Konsulli i Përgjithshëm, Lulzim Hiseni, udhëhoqën këtë ngjarje të rëndësishme, shkruan Gazeta Enigma.
Objekti i ri, me një sipërfaqe prej 350 m², ndodhet në një zonë strategjike, pranë qendrës historike të qytetit, pas katedrales “Saint Paul”, dhe afër misioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.
Gërvalla theksoi se inaugurimi i kësaj konsulate është një hap i rëndësishëm për forcimin e standardeve demokratike dhe të drejtat e njeriut, duke theksuar se Kosova është e njohur si një kampione e demokracisë në rajon.
Ambasadori Hiseni shprehu kënaqësinë për blerjen e kësaj prone, duke e konsideruar atë një simbol të përkushtimit të Kosovës për vlerat evropiane. Ai po ashtu theksoi se ky objekt do të shërbejë si një bazë e fortë për misionin diplomatik të Kosovës në Evropë.
Kjo inaugurim vjen pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës për të blerë objekte për misionet e saj jashtë vendit, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Senegal dhe Kroaci.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, njoftoi për planet për blerjen e objekteve të ambasadave në Itali, Turqi, Gjermani dhe Kanada.
Ceremonia u pasurua me performanca artistike nga violinisti Visar Kuçi dhe piyanistja Lirika Pula, ndërsa pikturat e artistës Marigona Ademi u ekspozuan në hapësirat e Këshillit të Evropës, duke e bërë këtë ngjarje edhe më festive./GazetaEnigma/