Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Shqipëri (GJKKO) ka shpallur vendimin për Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun.
Sipas këtij vendimi të bërë publik në ueb-faqen zyrtare të GjKKO-së, Meta është lënë në burg, ndërsa masa ka mbetur e pandryshuar për Kryemadhin dhe Çokun, që është detyrim paraqitje, ndërsa ka ndryshuar për Xhixhon, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitjeje.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal ‘arrest në burg’ ndaj personit nën hetim Ilir Metaj, e caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë’ në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste në bashkëpunim, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe ‘Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim’”.
“Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal ‘Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore’ ndaj personit nën hetim Monika Kryemadhi, e caktuar me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë’ në 2 (dy) raste dhe në bashkëpunim, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim’. Monika Kryemadhi detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12.00”.
“Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues ‘Arrest në shtëpi’ e caktuar ndaj personit nën hetim Piro Xhixho me masën e sigurimit personal ‘Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore’. Piro Xhixho detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:30”.
“Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal ‘Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore’ ndaj personit nën hetim Ema Çoku, e dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Ema Çoku detyrohet të paraqitet në Zyrat e Policisë Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 13:00”.
Gjykata tha se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.