Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, shprehu shqetësimin e tij për “kaosin energjetik” në Kosovë gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, e thirrur nga opozita për të diskutuar gjendjen në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se ka përkeqësuar situatën në këtë korporatë, e cila është thelbësore për stabilitetin energjetik të vendit, shkruan Gazeta Enigma.
“Përkundër nevojës për të diskutuar kapacitetet e reja energjetike dhe mundësitë për të sjellë gazin në Prishtinë, sot jemi të detyruar të flasim për një kaos energjetik. Qeverisja e VV-së ka rënduar gjendjen në KEK. Si LDK, kemi ngritur shqetësimet tona që nga fillimi, por nuk kemi parë asnjë përgjegjësi politike nga kjo qeveri,” deklaroi Selmanaj.
Ai gjithashtu rikujtoi se Kryeministri Albin Kurti dikur kishte thënë se populli po përballte kosto të larta energjetike, por pas marrjes së pushtetit, çmimi i energjisë është rritur gati 100%. “Premtimet janë harruar, dhe ndonëse faktet natyrore nuk kanë ndryshuar, sjelljet politike janë ndryshuar,” përfundoi ai./GazetaEnigma/