Organizata INPO ka njoftuar se ka gjetur që vetëm 10.71 për qind të tenderëve të planifikuar për periudhën janar-shtator në pesë ministri kanë përfunduar me lidhje të kontratave, shkruan Enigma.
Kjo shifër është nxjerr pas analizës së performancës së pesë ministrive në realizimin e planit të prokurimit për periudhën janar – shtator 2024 të kontratave të planifikuara për punë.
“Nga gjithsej 280 aktivitete të prokurimit të planifikuara për kontrata për punë në këto 5 ministri, INPO ka gjetur se vetëm 10.71% e tyre kanë rezultuar me lidhje të kontratës. Pjesëmarrja e kontratave të lidhura sipas vlerën e parashikuar të kontratave për punë në të gjitha ministritë e monitoruara është vetëm 4.7% në raport me planin e prokurimit”, thuhet në komunikatën e INPO-s.
Ministritë e monitoruara janë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Përzgjedhja e ministrive thuhet se është bërë duke u bazuar në volumin e kontratave të planifikuara për punë për vitin 2024 dhe ndikimi që kanë projektet në jetën e qytetarëve. Të dhënat thuhet se janë nxjerrë nga sistemi elektronik i prokurimit publik e-prokurimi.
Analiza është fokusuar në krahasimin e Planeve të prokurimit të 5 ministrive për vitin 2024, njoftimeve për kontratë dhe njoftimeve për nënshkrimin e kontratës.