Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se ende beson që Sami Lushtaku do të tërhiqet nga kandidatura e tij për kryetar të Skenderajt, për t’i lëshuar rrugën kryetarit aktual të kësaj komune, Bekim Jasharit.
Ai ka thënë se vazhdon ta mbështes Bekim Jasharin si kryetar të Skenderajt dhe është shprehur i bindur se Lushtaku do të tërhiqet nga gara për kryetar të kësaj komune. Në anën tjetër, Sami Lushtaku, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se ajo çfarë thotë Lladrovci është e parëndësishme për të dhe se ai i qëndron prapa kandidaturës së tij për kryetar të Skenderajt.
“Ajo është bindje e Lladrovcit, secili ka të drejtë me pasë mendimin e tij personal. Çfarë thotë Lladrovci për mua është pak e rëndësishme. Unë absolutisht i qëndroj pas kandidaturës sime për kryetar të Skenderajt”, ka thënë Lushtaku. Për më tepër, Lushtaku ka bërë të ditur se tashmë veç se e ka filluar fushatën e tij duke u takuar me qytetarët.
“E vërteta është po, kam filluar pa mjete të informimit, pa e bërë të madhe shumë, kam filluar të komunikoj me njerëz”, ka deklaruar ai.
I pyetur rreth kryetarit të ri të PDK-së, Memli Krasniqit, Lushtaku ka thënë se ka raporte të mira me të dhe se pret shumë prej tij.
“Mendoj që raportet jo vetëm me kryetarin por me gjithë kryesinë e partisë dhe anëtarët e kryesisë, unë kam raporte të mira me secilin dhe jo vetëm me kryetarin aktual. Pritja është e madhe, si e imja por edhe e elektoratit në Drenicë sidomos”, ka përfunduar Lushtaku.
Sami Lushtaku së fundmi ka deklaruar se do të kandidojë për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, duke thënë se nuk do të tërhiqet më nga gara për t’i “liruar” rrugën kryetarit aktual të kësaj komune, Bekim Jasharit.
Kujtojmë, se në vitin 2017, Sami Lushtaku ishte tërhequr nga kandidatura për t’ia dhënë mundësinë Bekim Jasharit që të zgjidhet kryetar komune.