Kuvendi refuzon propozimin për importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet

Kuvendi refuzon propozimin për importimin e veturave më të vjetra se 10 vjet

Propozimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, për lehtësimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vjet, u refuzua në seancën e sotme të Kuvendit.

Nga 66 deputetë, 52 votuan kundër, nëntë për, ndërsa pesë abstenuan, duke mos e mbështetur ndryshimin e projektligjit për automjetet, shkruan Gazeta Enigma.

Lushtaku argumentoi se shumë familje nuk kanë mundësi të blejnë vetura të reja, duke shprehur se ky ndryshim do të ndihmonte ata me të ardhura të ulëta ose të mesme.

“Ky ligj do t’i ndihmojë ata që kanë nevojë,” tha ai.

Megjithatë, deputetja e pushtetit, Fitore Pacolli, e kritikoi propozimin si “joprofesional”.

Ajo theksoi se Ministria e Mjedisit po punon për ndryshimet e nevojshme në Ligjin për automjetet dhe i inkurajoi deputetët të presin për “ndryshime profesionale” përpara se të miratojnë ndonjë propozim tjetër.

Sipas ligjit aktual, në Kosovë nuk lejohet regjistrimi i veturave të importuara më të vjetra se 10 vjet./GazetaEnigma/

Related Articles