Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë një deklaratë të fortë mbi rastin e tokës në lagjen “Veternik” të Prishtinës.
Ajo e cilësoi ngjarjen që lidhet me një zarfe, i cili dyshohet se është një dokument i falsifikuar nga Beogradi, si një shembull alarmant të sfidave që përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.
Haxhiu theksoi se është shqetësuese që, pavarësisht hetimeve, Prokuroria Speciale vendosi të mbyllë çështjen. Ky rast, sipas saj, ilustron se si ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë drejtësia në vend, duke theksuar nevojën për reforma të thella në këtë sektor.
Në një postim në Facebook, ajo ka pohuar se në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu, mbyllet rasti në dëm të qytetarit.
Më tej, ajo ka theksuar se bë vazhdën e zbardhjes së këtij rasti, si Ministri e Drejtësisë, në kuadër të kompetencave ligjore, kanë dërguar letër në organet kompetente në Serbi për të marrë përgjigje në lidhje me të vërtetën e pronës. Sipas saj, asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje siç nuk marrin kurrë nga ta për shkak të problemeve politike.
“Si ministre e drejtësisë, jam vërtetë e shqetësuar me gjithë këtë rast, veçanërisht, dhe me pretendimet e përfshirjes edhe të akterëve institucional të drejtësisë në këtë rast të kësaj prone, që nga vet prona deri te mbyllja e rastit me dokumente të falsifikuara”.
“Autoriteti përgjegjës me urgjencë duhet të hetojë mbylljen e dyshimtë të këtij rasti nga Prokuroria Speciale përmes dokumenteve të falsifikuara dhe të trajtojë po ashtu shqetësimet e faktuara të familjes së dëmtuar për lidhjet në këtë rast të vet prokurorëve special të Kosovës me vet pronën konkrete”.
“Drejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi. Kur i pushtetshmi lidhet me krimin aty krimi bëhet i organizuar dhe institucional. Aty bie edhe drejtësia, demokracia e republika. Dhe kjo nuk duhet të tolerohet”, ka thënë Haxhiu. /GazetaEnigma/