BE-ja vlerëson përparimin e Kosovës dhe e inkurajon t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë

BE-ja vlerëson përparimin e Kosovës dhe e inkurajon t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë

Komisioni Evropian publikoi të mërkurën raportet vjetore të progresit për vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

Në dokumentin për Kosovën thuhet se autoritetet e vendit mbeten të përkushtuara në rrugën drejt integrimit evropian.

Derisa kujton se Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022, raporti thekson se Komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për aplikimin e saj, kur një gjë e tillë të kërkohet nga Këshilli.

Aty kujtohet se mbajtësit e pasaportave biometrike në Kosovë gëzojnë regjimin e udhëtimit pa viza drejt BE-së, që nga 1 janari i këtij viti, ndërsa nga tetori, të njëjtën të drejtë e kanë edhe poseduesit e pasaportave të Serbisë, që ua lëshon Drejtoria Koordinuese Serbe.

Raporti thekson se tensionet në veri të Kosovës kanë vazhduar si pasojë e sulmit të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës nga sulmues të armatosur serbë, më 24 shtator të vitit 2023.

Sulmin në Banjskë, Raporti i Progresit e cilëson si “përshkallëzimin më të rëndë në vitet e fundit”.

“Kriza të tjera u shkaktuan nga çështje që lidhen me shpronësimin e tokave nga Qeveria në veri; nga miratimi i një rregulloreje të Bankës Qendrore për transaksionet me para të gatshme, që ndikoi negativisht të serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera joshumicë; nga operacionet policore për mbylljen e zyrave të institucioneve të drejtuara nga Beogradi, që ofronin ndihmë për komunitetet joshumicë; dhe nga ndalimi i vazhdueshëm i importit të mallrave me origjinë serbe”, thuhet mes tjerash në raport.

Këto çështje i dëmtuan edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit serb të vendit, sipas raportit.

Aty theksohet se edhe situata mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur e tensionuar, edhe pse ka pasur progres në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Arritjet e dukshme përfshijnë marrëveshjet historike të dakorduara në shkurt dhe mars, 2023 [për normalizimin e marrëdhënieve], hapat përgatitorë në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, avancimet në sektorin e energjisë dhe zotimet për adresimin e çështjes së personave të pagjetur”, thuhet në raport.

“Kosova është zotuar se do t’i zbatojë plotësisht të gjitha detyrimet e saj përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit [të Marrëdhënieve me Serbinë] dhe Aneksi i Zbatimit të saj, si dhe nga të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thekson raporti.

Sipas tij, Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa mjedisi i biznesit në vend është përmirësuar, po ashtu.

Në këtë dokument, Kosova inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Aty thuhet, po ashtu, se Qeveria duhet të punojë për të krijuar mbështetje politike ndërpartiake për t’i ndjekur në mënyrë më efektive reformat që lidhen me BE-në.

“Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e saj dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa apo parakushte të mëtejshme”, thekson po ashtu Raporti i Progresit.

Kërkesë të ngjashme, Komisioni Evropian bën edhe në Raportin e Progresit për Serbinë, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Marrëveshja është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për palët dhe të gjitha formalitetet, përfshirë miratimin apo ‘formalizimin’ e saj, nuk duhet ta pengojnë progresin në zbatimin e saj”, theksohet në Raportin e Progresit për Serbinë.

Të dyja vendet porositen se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht thelbësor në rrugën e tyre evropiane dhe se të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme, në mungesë të përparimit në këtë drejtim.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, shumë prej tyre nuk zbatohen në praktikë.

Palët akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë angazhimi.

Related Articles