Haradinaj prezanton kandidaten më të re për deputete

Haradinaj prezanton kandidaten më të re për deputete

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka prezantuar sot kandidaten më të re për deputete të kësaj partie, Zarife Asllanin.

Ky prezantim u bë në ditën e fundit të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një moment simbolik, duke qenë se Asllani ka kaluar vetë këtë betejë dhe është shëruar, shkruan Gazeta Enigma.

Në një postim në Facebook, Haradinaj vlerësoi Asllanin si një zë të fuqishëm për gratë dhe një figurë që përfaqëson guximin dhe përkushtimin për të përmirësuar shoqërinë kosovare.

“Jeta e Zarifes është një histori frymëzimi, jo vetëm për gratë që përballen me kancerin, por për të gjithë ata që kërkojnë forcë për të tejkaluar vështirësitë,” shkroi Haradinaj.

Ai e përshkroi kandidaturën e saj si një kombinim të fuqishëm mes aktivitetit politik dhe angazhimit të saj në çështje shëndetësore dhe sociale, veçanërisht në mbështetje të grave.

Zarife Asllani, aktiviste e hershme e AAK-së nga Gjilani, shquhet për angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbrojtje të të drejtave të grave dhe përkushtimin ndaj komunitetit. “Ajo është dëshmi e asaj që mund të arrijë një grua kur i përkushtohet kauzës, familjes dhe vendit të saj,” theksoi Haradinaj.

Në përmbyllje të deklaratës, kreu i AAK-së tha se prania e Asllanit në Kuvend do të sjellë një zë të fortë për ndryshim dhe një përfaqësim të denjë për të gjithë qytetarët që aspirojnë për një shoqëri më të shëndetshme dhe një të ardhme më të mirë./GazetaEnigma/

Related Articles